Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, i ngarkuar me hetimet e reja për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, ka konfirmuar se janë duke punuar për ndriçimin e këtij rasti, i cili u riaktualizua pas ekspertizës mjeko-ligjore të ardhur nga Lozana e Zvicrës.
Gazeta Sinjali ka mësuar se Prokuroria Speciale po përgatitet të nis intervistimin e dëshmitarëve në rastin “Dehari”, ndërkaq prokurori i rastit, Afrim Shefkiu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që së shpejti të thirren për intervistim persona të dyshuar për këtë rast.
“Të shohim ku po arrijmë. Tash është pak herët”, ka thënë Shefkiu për Gazetën Sinjali.
I pyetur nëse mund ta konfirmojë intervistimin e të dyshuarve, prokurori Shefkiu ka thënë se nuk mund të tregojë këso detaje të hetimeve në këtë fazë.
“Jemi duke punuar në atë drejtim. Jemi duke punuar në atë drejtim. Më tepër s’bën me folë për shkak se jemi në fazën e hetimeve. Konfirmoj. Jemi duke punuar në atë drejtim”, ka thënë Shefkiu.
Për këtë rast, mbrojtja e familjes Dehari ka thënë se 15 dëshmitarë do të intervistohen me urdhëresë të Prokurorisë Speciale.
Në tetor, kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte marrë vendimin që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Bartësi i kësaj lënde ishte caktuar të jetë ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu. /Gazeta Sinjali/