image Prokurori pyet për njësitin “Skifterat”, dëshmitari thotë se nuk i kishte njohur gjatë ndalimit në Zllash

Drejtësi

Prokurori pyet për njësitin “Skifterat”, dëshmitari thotë se nuk i kishte njohur gjatë ndalimit në Zllash

news image

Në Gjykatën Speciale ka vazhduar gjykimi i Salih Mustafës nën dyshimet për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në seancën e sotme është duke dëshmuar dëshmitari i parë i mbrojtur i Speciales, i cili i është përgjigjur pyetjeve të Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari është pyetur nga Prokurori për njësitin “Skifterat” dhe nëse ka qenë në dijeni për ta, për të cilët dëshmitari ka thënë se ka dëgjuar më vonë por jo gjatë kohës sa pretendon se është mbajtur në Zllash.

Transkripti i pyetjeve të Prokurorit dhe përgjigjeve nga dëshmitari i mbrojtur:

Prokurori: Dje na the se ke parë një person që kishte shenja djegie në trup dhe i kishte durët e lidhura. Pyetja ime është kjo: Përveç këtij personi të lidhur dhe teje, a ka pasur persona të tjerë si ju?

Dëshmitari: Jo

Prokurori: Mendohu pak për momentin që e përshkrove dje, e kam fjalën për momentin që deklarove se i akuzuari të ka rrahur. Dje ke thënë se pas përfundimit të rrahjes, dy persona u urdhëruan të të dërgonin përsëri në dhomë. E mban mend këtë që e ke thënë dje?

Dëshmitari: Kam thënë se dy persona më kanë marrë pas rrahjes dhe më kanë dërguar përsëri në dhomë

Prokurori: Pasi që ke thënë se nuk i njihje, unë po të pyes a e di kush i urdhëroi këta persona

Dëshmitari: Ai që më ka rrahur

Prokurori: Do të them një fjalë dhe të kërkoj ndjesë se si do ta shqiptoj në gjuhën shqipe. Fjala “skifterat”, çfarë do të thotë për ju?

Dëshmitari: Nuk e di

Prokurori: A ka ndonjë lidhje fjala “skifter” me të akuzuarin?

Dëshmitari: Ata që kanë qenë aty kanë qenë “skifterat”

Prokurori: Por ti personalisht çfarë ke ditur për skifterat?

Dëshmitari: Në atë kohë nuk e kam ditur, por më vonë e kam kuptuar kush janë

Prokurori: Deklarove se “ata aty kanë qenë skifterat”, për kë e ke fjalën?

Dëshmitari: Thash se nuk e kam ditur kush janë “skifterat”, më vonë e kam kuptuar

Prokurori: Ti the se ata ishin “skifterat”, a e ke fjalën për personat në Zllash që të kanë mbajtur ty?

Dëshmitari: Po

Prokurori: Këta “skifterat”, a ishin ndonjë njësit?

Dëshmitari: Nuk e di çka kanë qenë

Prokurori: Tani do të tregoj një fotografi. Sekretare të lutem tregoja edhe publikut këtë fotografi. Tregojani edhe dëshmitarit këtë fotografi. (I shfaqet fotografia dëshmitarit). Çfarë ju kujton kjo fotografi?

Dëshmitari: Po ma merr mendja se është vendi ku më kanë keqtrajtu

Prokurori: Është vendi në Zllashë ku je mbajtur? A po e thua këtë? Në cilën shtëpi saktësisht mendon se jeni mbajtur? A i thua dot gjykatës në cilën prej këtyre ndërtesave jeni mbajtur?

Dëshmitari: Qikjo dy-katëshja është, por unë jam mbajtur në bodrum ndërsa ata kanë qenë lartë

Prokurori: A po thua se në këtë ndërtesën më të lartë jeni mbajtur në bodrum? Dje na ke thënë se aty ku keni qëndruar, keni dëgjuar britma nga kati lartë? A mund t’i thuani gjykatës nëse kjo është ndërtesa ku i keni dëgjuar këto britma nga lartë?

Dëshmitari: S’kom mujt me pa kurgjo, po me siguri është qajo lart.

/GazetaSinjali/