Prokurori Special Dren Paca ka thënë se ishte vërtetuar se udhëheqësja e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në Departamentin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës (DFDIL), Sanije Rexha dhe zyrtari tjetër i MPMS-së, Kushtrim Bala, i kishin shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 130 mijë euro.
Dy të lartpërmendurit po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi, pasi sipas Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), u kishin mundësuar qytetarëve të Shqipërisë që në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë statusin e veteranëve të luftës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 133.280.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e mbajtur të enjten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, prokurori Paca dhe dy të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre avokatëve kanë dhënë fjalën përfundimtare.
Prokurori Paca, ka thënë se me provat e propozuara në aktakuzë dhe ato që ishin administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, ishte vërtetuar se dy të akuzuarit kishin shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare.
Sipas tij, nga transkriptet e komunikimeve të siguruara në mënyrë të ligjshme ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin komunikuar me persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë, i kishin udhëzuar se çfarë dokumentarësh duhej të kompletonin për mundësinë e aplikimit për njohjen e statusit të veteranit, pastaj i kishin njoftuar se kërkesat e tyre ishin aprovuar apo refuzuar.
Po ashtu, sipas prokurorit Paca në këto transkripte vërtetohet se këta persona kishin kërkuar nga të akuzuarit që t’iu ndihmonin për njohjen e statusit si dhe rritjen e shkallës së invaliditetit, ku të akuzuarit për qëllime që aplikuesit të mund të ndikonin në komision, iu kishin treguar edhe emrat e anëtarëve të komisionit.
Nga hyrje daljet e pikave kufitare sipas prokurorit Paca, ishte vërtetuar se dy të akuzuarit në kohën kur po akuzoheshin se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare kishin udhëtuar në Shqipëri.
Prokurori Paca përmendi edhe kërkesën për pushim vjetor, të të akuzuarës Rexha, e cila kishte qenë në pushim vjetor në kohën kur i ishin plotësuar aplikacionet edhe pse nuk ishte kompetente për plotësimin apo pranimin e aplikacioneve, por e njëjta ishte udhëheqëse e divizionit për kontrollim të brendshëm dhe të jashtëm në DFIDL.
Sipas prokurorit, në dy shkresa të lëshuara nga MPMS ishte vërtetuar se 31 persona nga Republika e Shqipërisë deri më 30 nëntor 2019, kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme 133,230.00 euro, e nëse llogaritet për secilin sipas prokurorit i bie se kishin përfituar nga 5,270 euro, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës nga tetori 2017 e deri më 30 nëntor 2019.
Por sipas tij, i njëjti buxhet vazhdon të dëmtohet edhe në ditët e sotme, pasi ata persona që kishin përfituar pensionin e veteranit, vazhdojnë ta përfitojnë këtë pension.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e matjes së dënimit, të ketë parasysh rrethanat si dëmin e madh që iu ishte shkaktuar buxhetit të shtetit me veprimet e të akuzuarve.
Po ashtu, prokurori ka kërkuar nga gjykata që dy të akuzuarit t’i obligojë që të kompensojnë dëmin e shkaktuar i cili deri në nëntor 2019, ka rezultuar 133,230.00 euro, e që sipas tij, ky dëm duhet të llogaritet deri në ditën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Lidhur me këtë ndryshim, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Musa Konxheli njoftoi se gjykata jashtë seancës do të vendos, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 5 mars 2021, në ora 09:20.
Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, e pandehura Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.