Është mbajtur sot, tryeza e organizuar nga Prokurori i Shtetit me moton “Mbrojtja e Votës”, ku është diskutuar për angazhimin e përbashkët të institucioneve nënshkruese të memorandumit për zgjedhje (KQZ, PZAP, PSh, PK dhe KGjK).
“Në këtë tryezë është diskutuar lidhur me përgatitjet e institucioneve, bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019, si dhe për vetëdijesimin për parandalimin e manipulimeve të mundshme.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se institucioni i Prokurorit të Shtetit, tashmë ka caktuar 100 prokuror së bashku me 7 koordinatorë rajonal, ku do të monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, si dhe ka potencuar se në rastet ku paraqiten problemet eventuale, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave dhe Ligjit.
Po ashtu, Koordinatorja Pula, iu ka bë ftesë të gjitha institucioneve përkatëse, shoqërisë civile dhe mediave që të bashkëpunojnë ngushtë, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve me Prokurorin e Shtetit, të paraqesin çdo parregullsi eventuale në mënyrë që të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin e keqpërdorimit të votës.
Ndërkaq, përfaqësues i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, John Bush, u shprehë se SHBA-të, mbështesin projektin “Mbrojtja e Votës” si dhe inkurajojnë të gjithë për të raportuar parregullsitë eventuale.
Përfaqësues të institucioneve tjera, kanë prezantuar planet e tyre lidhur me angazhimet e tyre, si dhe kanë deklaruar se të gjithë janë duke u marr me aktivitete të ndryshme, në bazë të kompetencave që ka secili institucion përkatës.
Koordinatorja nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Fatime Dërmaku, ka thënë se kjo është hera e parë që janë të përfshirë në zgjedhje 15 gjyqtarë, të cilët do ti mbulojnë të gjitha komunat, e që sipas saj do të jenë në gatishmëri t’i shqyrtojnë kërkesat e prokurorëve për caktimin e masave ndaj personave që kanë kryer vepra penale.
Po ashtu, Drejtori i operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, ka thënë se Policia e Kosovës, janë të gatshëm të ofrojnë siguri, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
Ndërsa, Koordinator i panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, është shprehur se deri më tani kemi pranuar 89 ankesa, prej të cilave 86 janë shqyrtuar, të cilat kanë të bëjnë me fushatën, si dhe ka theksuar se paneli është i gatshëm dhe po punon me kapacitet të plotë për shqyrtimin e ankesave.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, u shpreh se përgatitjet për këto zgjedhje deri më tani janë duke shkuar mirë, duke shpresuar se do të kaloj i gjithë procesi pa ndonjë pengesë për procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin për media./Gazeta Sinjali/