Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore.
E për t’i hapur rrugë ngritjes së pagës minimale në vend, duhet të ndryshohen katër ligje.
Me këtë rast do të ndryshohen dhe plotësohen ligji për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai për Personat e Verbër, ai për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë dhe ai për Tatimin në të ardhurat personale.
“Përmes këtij Projektligji synohet që të eliminohen mëdyshjet ligjore rreth pagës minimale në nivel kombëtar, specifikisht rregullimin ligjor të lidhshmërisë së pagës minimale në nivelin e beneficioneve sociale sipas ligjeve të mësipërme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ministria e Financave pritet të vendosë për lartësinë e shumës së kompensimit për këto kategori.
Me legjislacionin në fuqi, rritja e pagës minimale rrit automatikisht edhe pensionet e veteranëve. Kjo pasi ndryshimet në Ligjin e veteranëve hyjnë në fuqi vetëm pasi të bëhet kategorizimi përfundimtar i veteranëve të luftës, e i cili nuk është bërë që nga viti 2017.
Ndryshe me vendimin e Qeverisë, ora e punës do të bëhet në vlerë 1.5 euro.
Është miratuar edhe ndryshimi i shkallës tatimore, që parasheh që të gjitha pagat të mos tatohen në 250-euroshin e parë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.
Ndërkaq, ministri Financave, Hekuran Murati në arsyetim të propozimit ka bërë të ditur se do të duhet të ndryshohen edhe ligjet që ndërlidhen me pagën minimale.