Qeveria e Kosovës pritet që nesër të mbajë mbledhje ku do të paraqitet edhe projektligji për buxhetin e vitit 2020.
Këtë e konfirmoi kryeministri Albin Kurti i cili tha se pas miratimit të programit, atij do t’ia bashkëngjisin planin e punës e nesër në tavolinën e ministrave do të jetë edhe projektligji për buxhetin.
“Ne tashmë e kemi miratuar programin qeverisës do t’ia bashkëngjisim edhe planin e punës dhe nesër po planifikojmë që të kemi një mbledhje të Qeverisë për projektligjin e buxhetit të vitit 2020”, deklaroi Kurti.
Opozita ka pasur kritika ndaj qeverisë se është vonuar me procedimin e projektligjit për buxhetin për vitin 2020 duke thënë se kjo vonesë po shkakton pasoja të mëdha për vendin.
Në mungesë të ligjit të buxhetit për vitin 2020, aktualisht vendi është duke shfrytëzuar 1/12 të buxhetit 2019 dhe është miratuar kërkesa e Qeverisë nga Kuvendi edhe për shfrytëzimin e këtij buxheti për muajin mars.
Buxheti për vitin e kaluar ishte rreth 2.3 miliardë euro derisa në mandatin e Qeverisë së re është premtuar se Kosova do të ketë buxhet rreth 3 miliardë. /Gazeta Sinjali/