image Profili i Avdullah Hotit, kryeministrit të ri të Kosovës

Profile

Profili i Avdullah Hotit, kryeministrit të ri të Kosovës

news image

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot është zgjedhur kryeministër i vendit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim.

Hoti u zgjedh kryeministër sot, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit kjo gjykatë e shpalli kushtetues dekretin e presidentit për mandatimin e Hotit për formimin e qeverisë së re.

Presidentit i vendit, Hashim Thaçi dekretoi Hotin si kandidat i LDK-së për kryeministër, pas shkarkimit të Qeverisë Kurti më 25, kur u votua mocioni i mosbesimit ndaj kësaj të fundit, pjesë e të cilës ishte edhe LDK-ja dhe Hoti mbante pozitën e zëvendëskryeministrit të parë./Gazeta Sinjali/

Më poshtë mund ta lexoni profilin e kryeministrit të ri, Avdullah Hoti:

Avdullah Hoti, i lindur më 04 shkurt 1976.

Arsimi: Ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998.

Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe.

Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.

Përvoja akademike dhe hulumtuese: Ka filluar angazhimin si asistent mësimor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 2008 është zgjedhur Profesor Asistent, ndërkaq më 2012 është zgjedhur profesor i asocuar. Në këtë fakultet ligjëron disa kurse në studimet bachelor, master dhe të doktoratës.

Në Kolegjin Dardania në Prishtinë ligjëron mikroekonominë dhe makroekonominë. Ka ligjëruar në Universitetin e Pejës gjatë vitit 2008-2009. Gjatë viteve 1999-2004, ka punuar si hulumtues, me kohë të pjesshme, në Institutin Riinvest në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009.

Ka qenë anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë. Ka publikuar gjashtë tekste, në gjuhën angleze, prej tyre dy si autor i vetëm dhe katër si bashkautor.

Ka publikuar 16 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migracionin dhe remitancat dhe fusha të tjera. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe vendore.

Angazhimet politike: Gjatë viteve 2006-2007, ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.

Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës. Për një mandat (2010-2013) ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në qershor 2014, është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.