Qentë endacakë janë problem i kamotshëm në Kosovë, e rastet kur ata sulmojnë qytetarët nuk janë të rralla.
Nuk ka të dhëna se sa janë, e komunat dhe niveli qendror në vazhdimësi ia hedhin fajin njëra-tjetrës për situatën në terren.
Një problem i tillë edhe shumë prezent është edhe në Prishtinë, për çka komuna ka ndërmarrë disa veprime për trajtimin e tyre, duke përfshirë edhe subvencionimin e qytetarëve që janë të interesuar t’i adoptojnë.
Në një njoftim për media, nga komuna kanë bërë të ditur se deri më tani kanë trajtuar 3 mijë e 356 qenë endacakë.
“Kryeqyteti ka arritur një hap të madh në kujdesin për qenët endacakë. Deri më tani, kemi trajtuar 3356 qenë endacakë, duke i kapur, sterilizuar, kastruar, vaksinuar dhe pajisur me mikroçip për një mbikëqyrje më të mirë”, thuhet në komunikatë.
Ky proces bëhet e ditur se është realizuar në bashkëpunim me katër operatorë ekonomikë, që çdo qen të trajtohet me kujdesin që meriton.
“Vetëm nga janari deri në maj të vitit 2022, kemi trajtuar 709 qenë, duke treguar angazhimin tonë të qëndrueshëm për një mjedis më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë, përfshirë miqtë tanë me katër këmbë”, thuhet më tej.