image Prizreni triumfon ndaj Tiranës në Ligën Unike

Basketboll

Prizreni triumfon ndaj Tiranës në Ligën Unike

news image

Në një ndeshje interesante, Prizreni 16 ka shënuar fitore ndaj Tirana Neptun me rezultat 107:89, në xhiron e nëntë të Ligës Unike.

Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët që krijuan epërsi deri në shtatë pikë, 10:17, por vendasit kundërpërgjigjen shpejt për të barazuar rezultatin në 19:19, megjithatë, çerekun e parë e fituan tiranasit 22:27. Kryeqytetasit vazhduan me lojë në periudhën e dytë për të krijuar epërsi deri në 13 pikë, 28:41, por prizrenasit rikthehen shpejt për të afruar rezultatin në 47:48, ndërsa pjesa e parë përfundon 49:52.

Perioda e tretë ishte shumë interesante. Mysafirët sërish arritën epërsi deri në nëntë pikë, 51:60, e më pas vendasit kundërpërgjigjen duke barazuar rezultatin dhe kaluan në epërsi deri në pesë pikë 74:69, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Çereku i fundit ishte interesante deri katër minuta nga fundi, kur prizrenasit filluan shkëputjen dhe nuk u ndalën për të triumfuar me rezultat 107:89.

Te Prizreni 16 u dallua Courtney Fells me 33 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, kurse te Tirana Neptun u dalluan Endrit Hysenagolli me 34 pikë e 18 kërcime dhe Julian Hamati me 23 pikë, 12 kërcime dhe tetë asistime.

Prizreni 16 ka gjashtë fitore dhe tri humbje, kurse Tirana Neptun ka katër fitore e pesë humbje. /Gazeta Sinjali Sporti/