Dhuna ndaj grave në vendin tonë është një dukuri shqetësuese, pasi vazhdimisht në Polici raportohen dhjetëra raste brenda ditës kur ato sulmohen fizikisht nga bashkëshortët e anëtarët tjerë të familjes. Këta të fundit si duket dhunën nuk mund ta lënë as në pushime, atje ku janë larg shtëpisë e familjes dhe gratë janë edhe më të pambrojtura, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu veproi së fundi edhe një burrë nga Prishtina i cili bashkë me bashkëshorten e tij kishin udhëtuar për ca ditë pushime në një nga qytetet e Turqisë, Stamboll.
Sinjali mëson se 36-vjeçari dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij në hotelin ku ishin akomoduar, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore.
Viktima ka deklaruar në Polici se nuk ka mundur që menjëherë ta denoncojë rasti te organet e rendit në Stamboll, pasi që kishin udhëtuar herët drejt Kosovës.
Me të denoncuar rastin, 35-vjeçares i është ofruar tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve të marra nga dhuna, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në procedurë të rregullt nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.