Komuna e Prishtinës, ka marrë vendim për t’u dalë në ndihmë me mjete financiare prej rreth 5 milionë euro, bizneseve të vogla dhe të mesme, me rastin dëmtimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Rreth 20 mijë biznese, do të kenë mundësi të përfitojnë nga kjo pako, duke përjashtuar ato të cilat kanë përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, thotë se kjo pako është aprovuar që nga muaji prill, mirëpo për arsye politike Ministria e Financave nuk ka arritur të përcjell deri në Kuvendin e Kosovës.
Derisa, bëri të ditur se nga tani bizneset do të mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo pako.
“Kjo pako aktualisht ende nuk ka filluar, pakoja fillimisht është aprovuar në mbledhjen urgjente të kuvendit komunal në muajin Prill, por që për arsye politike nuk arriti Ministria e Financave me përcjell deri në kuvendin e Kosovës. Me ç’ rast është dashur të aprovohen, bartjet e mjeteve nga investimet kapitale në granatet e parapara për bizneset e dëmtuara gjatë pandemisë. Në mbledhjen e fundit të kuvendit komunal, janë aprovuar bartjet e këtyre mjeteve, pas konsultave edhe me Ministren e Financave. Ne dje e kemi marrë edhe ligjshmërinë nga ana e ministrisë së administrimit të pushtetit lokal, prandaj prej sot jemi në gatishmëri të startojmë me aplikacionin, i cili i mundëson bizneset të aplikojnë për format e grandëve të ndryshme”, thotë ai.
Nushi foli edhe rreth kritereve që bizneset duhet t’i plotësojnë për përfitim të granteve, e që sipas tij, bizneset duhet të jenë të regjistruara në ATK si dhe pagues të obligimeve mujore.
Ai shtoi se bizneset të cilat kanë përfituar nga pakoja e Qeverisë, nuk mund të përfitojnë edhe nga pako e Komunës.
-Si masë parandaluese për përhapjen e virusit Covid-19, Qeveria e Kosovës kishte mbyllur një numër të madh të bizneseve, duke shkaktuar kështu humbje të mëdha në veprimtarinë e tyre./Gazeta Sinjali/