Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Kazazi, Arbër Blakqori, Stefanie Zabel dhe Nesret Hoxha, të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi’. Po ashtu Kazazi, i cili është pronari i ‘Prishtina Jet’, akuzohet edhe për veprën penale ‘Shmangie nga tatimi’, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se katër të akuzuarit dyshohen se nga viti 2020 e deri më 4 gusht të këtij viti, përmes agjencisë turistik ‘Prishtina Jet’, kanë vënë në lajthitje 242 bashkatdhetarë, të cilët i kanë shtyrë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.
Kazazi në cilësinë e pronarit, bashkë me Arbër Blakqorin i cili ushtronte detyrën e menaxherit të kompanisë, dyshohen se përmes paraqitjes të fakteve të rreme kanë shitur bileta avioni fiktive për udhëtim nga Gjermania dhe Zvicra për në Prishtinë dhe anasjelltas.
Ndërsa, Stefanie Zabel dhe Nesret Hoxha, sipas aktakuzës, dyshohen se kanë krijuar xhirollogari bankare në Zvicër dhe më pas në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive te bashkatdhetarët në emër të ‘Prishtina Jet’.
“I pandehuri M.K., si pronar, kurse A.B., si menaxher i agjencisë së lartcekur, u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e Gjermanisë dhe atë të Zvicrës për në Prishtinë dhe anasjelltas, të cilët përmes reklamimit në websajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës, kurse të pandehurit S.Z dhe N.H., përmes një marrëveshjeje (kontratë interne, e pa noterizuar) të nënshkruar me të pandehurin M.K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë, ku pastaj mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari tjera të pandehurit M.K., kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N.H., çka me këtë të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Kazazi që nga viti 2020 deri në maj të këtij viti, dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej afro 25 mijë eurove.
“Ndërsa, i pandehuri M.K., nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist, respektivisht Agjencionit turistik “Prishtina Jet Sh.p.k”, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve të parapara me legjislacionin tatimor në Kosovë, në atë mënyrë që pas një kontrolli të bërë në lokalin e tij nga ana e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, është konstatuar se i pandehuri ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij tek organet kompetente, respektivisht te ATK-ja, për periudhën e lartcekur kohore, çka me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24,928.38 €”, thuhet tutje në komunikatë.