image Këta janë katër personat e dyshuar për mashtrim dhe ndihmë në rastin 'Prishtina Jet'

Siguri

Këta janë katër personat e dyshuar për mashtrim dhe ndihmë në rastin ‘Prishtina Jet’

news image

Gazeta Sinjali raportoi më parë se Prokuroria Themelore e Prishtinës sot ka kërkuar nga Gjykata për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve për ndihmë në kryerjen e veprës penale të mashtrimi të cilët i kanë ndihmuar dy të pandehurve të tjerë të dyshuar për mashtrim.

Gazeta Sinjali mëson se dy të dyshuarit për ndihmë në mashtrim janë Stefanie Zabel dhe  Nesret Hoxha, janë arrestuar dje, ndërsa dy të dyshuarit tjerë për mashtrim Mentor Kazazi dhe Arbër Blakqori ishin arrestuar me 4 gusht të këtij viti.

Gazeta Sinjali në fund të vitit të kaluar kishte raportuar se kompania ajrore ‘Prishtina Jet’ dyshohet se po i mashtron mërgimtarët me anulimin e biletave dhe moskthimin e parave.

Sipas Prokurorisë nga data 16 dhjetor të vitit 2020 në vazhdimësi e deri më 30 qershor të këtij viti, të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar të dyshuarve Mentor Kazazi dhe Arbër Blakqori, bashkëpronar të subjektit ‘Prishtina Jet’ në Prishtinë, duke u krijuar kushte për kryerjen e veprës penale  të mashtrimit.

Në atë mënyrë që përmes një marrëveshjeje interne të datës 16.12.2020 të nënshkruar mes të dyshuarës Stefanie Zabel dhe të dyshuarit Mentor Kazazi, përfaqësuesi i ‘Prishtina Jet’, në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion kanë hapur një xhirollogari bankare në emër të dyshuarës Stefanie Zabel në një bankë të Lucernit në Zvicër.

Aty personat e dëmtuar, respektivisht të mashtruar nga përfaqësuesit e subjektit ‘Prishtina Jet’ përmes kësaj xhirollogarie kanë kryer pagesa për blerjen e biletave fiktive të aeroplanit për të udhëtuar nga shtetet e perëndimit për në Kosovës dhe anasjelltas me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real.

Kurse mjetet e mbledhura ua kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të dyshuarve të subjektit ‘Prishtina Jet’ në Prishtinë dhe atë në shumën prej 227,922.54 CHF. Kurse në xhirollogarinë e vet të dyshuarit Hesret Hoxha kanë transferuar shumën prej 26,003.02 CHF si përfitim i kundërligjshëm nga ky aktivitet, në xhirollogarinë Sofia-Bulgari shumën prej 199,873.67 CHF.

Ndërkaq shumën prej 174,695.36 CHF e kanë transferuar në subjektin e regjistruar si Southeast – Slloveni, e cila është në pronësi të dyshuarit Mentor Kazazi , ashtu që të gjitha këto transferime janë realizuar për periudhën kohore 01.01.2022 – 30.06.2022.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/