Prishtina ka shënuar fitore ndaj Penzës në udhëtim me rezultat 82:87, në xhiron e 15-të të Superligës së Femrave.
Çereku i parë ishte i baraspeshuar, ku epërsinë më të lartë e kishin prishtinaset, gjashtë pikë, 12:18 dhe 16:22, megjithatë, katër pikë në fund nga pejanet bënë që kjo pjesë të përfundojë 20:22.
Edhe periudha e dytë u karakterizua si shumë e baraspeshuar, pa arritur shkëputjen e madhe asnjëra skuadër, ndërsa shkuan në pushim me shifrat 42:43.
Bardhekaltret e nisën më mirë periodën e tretë, duke pasur epërsi në nëntë pikë, 49:58, megjithatë, vendaset rikthehen shpejt për të barazuar shifrat në 58:58, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:66.
Por, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, skuadra e Prishtinës ishte në epërsi konstante për të mos e rrezikuar fitoren dhe duke triumfuar me shifrat 82:87, çka ishte fitorja e 15-të në po aq ndeshje të zhvilluara, kurse pejanet kanë 11 fitore e katër humbje.
Te Penza u dalluan Valbona Bytyqi me 23 pikë e 11 kërcime, Rael Whitsitt me 13 pikë e 13 kërcime, Jeta Zeka me 16 pikë dhe Narlyn Mosquera me 18 pikë e nëntë kërcime, kurse te Prishtina u dalluan Arbnore Përquku me 23 pikë, nëntë kërcime e dhjetë asistime dhe Agnesa Rrahmani me 26 pikë e shtatë kërcime.