Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit në Shqipëri, në bashkëpunim me autoritetet italiane, kanë çmontuar një rrjet kriminal që dyshohet se ka kryer mashtrim ndaj sistemit kombëtar shëndetësor italian, korrupsionit dhe trafikut të barnave me përmbajtje narkotike.
Gjatë aksionit, SPAK ka njoftuar se janë sekuestruar më shumë se 500 000 euro nga llogaritë bankare të të dyshuarve dhe barna me përmbajtje narkotike në vlerë prej 20 000 euro.
Gjithashtu, në pranga janë vënë nëntë të dyshuar, ndërsa sipas SPAK, “Grupi organizuar kriminal u ofronte qytetarëve shqiptarë një sërë shërbimesh mjekësore të shtrenjta dhe të panevojshme që do të lejojnë hyrjen e jashtëligjshme në Itali”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
“Gjatë aksionit të përbashkët më 10 qershor, në Itali u arrestuan 6 (gjashtë) të dyshuar dhe u sekuestruan mbi 500 000 euro nga llogaritë bankare dhe barna me përmbajtje narkotike të të dyshuarve në vlerë prej 20 000 euro”.
“Sot më datën 10 Qershor 2022, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me praninë e Oficerëve të Policisë Italiane, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë kryer 11 (njëmbëdhjetë) kontrolle në ambjetet e banesave, zyrave shtetërore (QSUT) dhe të subjekteve tregtare. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale dokumente mjekësore në gjuhën italiane, medikamente mjekësore dhe pajisje kompjuterike dhe prova të tjera me rëndësi për hetimin”.