Një zëdhënës i Sussex tha se Princi Harry do të veshë një kostum normal gjatë ngjarjeve që nderojnë gjyshen e tij.
“Dekada e shërbimit të tij ushtarak nuk përcaktohet nga uniforma që ai vesh dhe ne kërkojmë me respekt që fokusi të mbetet në jetën dhe trashëgiminë e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II”, sipas komentatorit mbretëror dhe autorit Omid Scobie.
Dje u raportua se si Princit Harry thuhet se iu mohua mundësia për të veshur uniformën ushtarake ndërsa mban zi për Mbretëreshën, edhe pse xhaxhai i tij i turpëruar, Princi Andrew do të lejohet ta bëjë këtë, raporton The Mirror.
Vetëm anëtarët mbretërorë që punojnë (të cilët Harry dhe Andrew nuk janë) lejohen të vishen me uniformë në pesë raste ceremoniale.
Megjithatë, Andrew, i cili u largua nga jeta publike pas zemërimit për miqësinë me miliarderin pedofil, Jeffrey Epstein dhe më vonë iu hoqën titujt e nderit, do të jetë i veshur me uniformë për vigjiljen e fundit rreth arkivolit të Mbretëreshës gjatë vendosjes në Westminster Hall.
Atij i lejohet ta veshë atë si një shenjë respekti të veçantë për nënën e tij, por jo në raste të tjera.
Një burim konfirmoi se Harry, grada e të cilit është kapiten, nuk do të ishte në uniformë për asnjë ngjarje.
Harry humbi titujt e nderit ushtarak pasi vendosi të tërhiqej si anëtar i lartë mbretëror me gruan Meghan në vitin 2020.
Në funeralin e Dukës së Edinburgut në prill të vitit 2021, çështja e uniformës u trajtua nga Mbretëresha e cila vendosi që asnjë anëtar i familjes mbretërore të mos vishte uniformë. Ishte një thyerje e traditës, por e parë si zgjidhja më elokuente për një mori problemesh. /GazetaSinjali/