Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it Ristuccia pas deklaratave të deputetes britanike Alicia Kearns, e cila dje tha se po kontrabandohen armë nga Serbia për në Kosovë përmes autoambulancave dhe se ato po shkarkohen nëpër kishat ortodokse.
Kurti tha se janë duke grumbullar të dhëna për këtë informacion dhe brenda kësaj jave duhet të dihet më shumë për këtë çështje.
“Ju e dini se çka gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë. Ose tash kemi këto informacionet që veturat e ambulancës janë përdorur për të bartur armatim. Dhe unë sot do ta kem një takim me përfaqësuesit e NATO-s për këtë gjë. Do ta takoj edhe komandantin e KFOR’it dhe pas të gjitha këtyre takimeve edhe me institucionet tona të sigurisë do të mund ta japim fjalën tonë përfundimtare. Tash jemi duke grumbulluar të dhëna për informacionin ende të paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje. Andaj, sot kam një takim ku do të shtrohet kjo temë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, në një përgjigjie drejtuar mediave, KFOR ka thënë se nuk ka asnjë provë për kontrabandën e supozuar të armëve përmes vijës administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca.
KFOR-i deklaroi se ngjarja e përmendur dje nga deputetja britanike Ališa Cairns i referohet vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusiliers ishte i angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it.
“Prezenca e supozuar e paligjshme e armëve u raportua në shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk doli asnjë provë për atë që u raportua. Nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandën e supozuar që ishte kryer përtej vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Kishën Ortodokse në ambulancë”, ka thënë KFOR-i.
Ata po ashtu theksuan se ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është përgjegjësi e organizatave të sigurisë së Kosovës.
Deputetja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns dje ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe për pjesëmarrje në kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.
Kearns, në një fjalim në një seancë të Parlamentit të Britanisë së Madhe, deklaroi se armët kontrabandohen nga Serbia me autoambulanca dhe më pas shkarkohen në kishat ortodokse, duke shtuar se KFOR-i ishte në dijeni për këtë.