image Presidentja Osmani takohet me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, ia përmend liberalizmin e vizave

Politikë

Presidentja Osmani takohet me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, ia përmend liberalizmin e vizave

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Austri është takuar me kancelarin austriak, Sebastian Kurz.

Në takim me kancelarin Kurz, presidentja Osmani ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme austriake ndaj Kosovës. Ka theksuar se është në interesin e Kosovës që kjo mbështetje të vazhdojë me procesin e liberalizimit të vizave, si dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Osmani ka theksuar, gjithashtu edhe gatishmërinë e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. 

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbër dhe fushave të tjera”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Në këtë takim, presidentja ka falënderuar kancelarin Kurz për 95 mijë vaksina Pfizer, të cilat janë siguruar për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për të cilat Austria kishte ndihmuar në aspektin procedural. 

“Presidentja Osmani në takim me kancelarin Kurz, ka theksuar se populli i Kosovës janë më proevropianët, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i liberalizojë vizat, duke mbajtur premtimin.”

Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani ka ritheksuar qëndrimin për dialog të barabartë ndërmjet palëve, i cili përfundon me njohje reciproke.

Ajo po ashtu ka theksuar se parakushte për paqen e qëndrueshme në rajon janë drejtësia për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit kushtetues e territorial të Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/