Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka dekretuar 48 gjyqtarë të rinj.
Këtë e ka bërë të ditur Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ku thuhet se gjyqtarët do të shpërndahen në shtatë Gjykatat Themelore në vend, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtarët tani të dekretuar, para se të dërgoheshin tek presidentja për emërim i janë nënshtruar procesit të zgjedhjes, ku në listën e publikuar ditë me parë nga KGJK, 49 kandidatë kishin kanë kaluar provimin për t’u bërë gjyqtar.
Në mesin e këtyre kandidatëve janë edhe tre kandidatë të pakicës serbe derisa për këtë komunitet kanë mbetur edhe pesë vende të paplotësuara.
Ndryshe, komisioni për Rekrutim të Gjyqtarëve në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës ishte i udhëhequr nga kryesuesi Zogaj, anëtarët tjerë të këtij komisioni ishin Fidan Hoxha, Enver Peci, Avni Mehmeti, Snezana Mihajlovic, ndërsa si anëtarë rezervë në këtë komision ishin gjyqtaret Kadrije Goga-Lubishtani dhe Arjeta Sadiku.