Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me kryeministrin Albin Kuri vizituan kullën e familjes Gërvalla në Dubovik të Deçanit.
“Secila kohë i ka heronjtë e vetë dhe secili popull u falet atyre. Sot, nderuam kujtimin për heronjtë tanë të përhershëm, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Dyzetë vjet më parë, aktiviteti patriotik i tyre u ndal dhunshëm në një atentat në Gjermani, ku të tre heronjtë tanë u vranë nga UDB-ja e Serbisë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Ajo tutje ka shkruar se “Jemi krenar për këtë brez heronjsh dhe përulemi para veprës së tyre. Kauza e tyre vazhdoi ndër breza dhe u kurorëzua më 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall Republikë e pavarur e sovrane. Sot teksa kujtojmë këta patriotë, kemi mundësinë të reflektojmë për rrugën e zorshme, të cilën e ka kaluar populli ynë deri në bërjen e shtetit. Kjo rrugë ishte e mundimshme, por edhe e lavdishme”.
Për fund ajo deklaroi se njerëzit si Jusufi, Bardhoshi e Kadriu njëherë hyjnë në histori në mënyrë meritore dhe mbeten përjetësisht aty.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, u shpreh presidentja./GazetaSinjali/