Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu është shprehur se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duhet t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese para se t’ia kërkojë mandatarin për kryeministër Lidhjes Demokratike të Kosovës si parti e dytë.
Sipas tij ka ende paqartësi për afatet dhe procedurat kushtetuese në rast se anashkalohet, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese.
“Presidenti do të duhej para se të ofrojë mandatarin për ndonjë mandatar tjetër të partisë së dytë ose koalicioni të tillë. Do të duhej të ketë parasysh respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese. Ajo nënkupton se përgjigjja në ofrimin e mandatimit si mandatar të Vetëvendosjes nuk është arritur ende. Janë disa sqarime që janë kërkuar në ato katër-pesë komunikimet mes tyre që të jepet përgjigje dhe shpjegime në ato çështje. Prandaj presidenti do të ishte më mirë që nëse ka dilema. E dilema ka se kushtetuta nuk ka paraparë afat në këtë çështje . Do të duhej t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese para se t’ia jep mandatin dikujt tjetër”, tha ai.
Por krahas kësaj, Baraliu u shpreh se edhe nëse ka shkelje kushtetuese, presidenti se nuk mund të shkarkohet.
“Kushtetuta jep dy raste për të shkarkuar presidentin. Shkelje e rëndë kushtetuese dhe është gjendja shëndetësore. Këto pra, janë këtu kemi të bëjmë me shkelje procedurale. Nuk dua të nënçmoj këtë shkelje. Kushtetuta nuk guxon të shkelet as procedurialisht, as esencialisht të shkelet. Por unë nuk shoh eventualisht nëse dikush mendon që me këtë lloj shkelje të qoj presidentin në shkarkim sepse nuk mundet”, tha më tej Baraliu./GazetaSinjali/