Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka autorizuar ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin për t’i nënshkruar dy marrëveshje të reja të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e parë është për pjesëmarrje në programin e BE-së “Customs 2020”, kurse e dyta për pjesëmarrje në programin e BE-së “Fiscalis 2020”.
Në dy këto autorizime, ministri Bislimi autorizohet nga presidenti Thaçi, t’i kryejë veprimet e ndërlidhura për lidhjen e këtyre dy marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Këto autorizime janë bërë në përputhje me funksionin kushtetues të presidentit Thaçi si udhëheqës i politikës së jashtme, në mbështetje të nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, nenit 7 të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht vendimet nr. 02/04 dhe 03/04 të datës 28 shkurt 2020.