Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka nderuar sot me titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun Grei Malo, te cilin e ka cilësuar hero.
Mjeku Malo, zbriti në terren menjëherë pas goditjes së tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Ai u fut nën rrënoja për të shpëtuar jetë njerëzish në të gjitha zonat e dëmtuara.
Ndërkohë që siç nënvizon edhe kreu i shtetit, spikati me kontributin e tij të veçantë humanitar si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, për shpëtimin e të riut Klajdi Qato.
Postimi i Metës:
Me nderim dhe mirënjohje të thellë, pata sot privilegjin të vlerësoja me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun hero Grei Malo, i cili zbriti në terren menjëherë pas goditjes së tërmetit tragjik të 26 nëntorit, duke hyrë nën rrënoja e shpëtuar jetë njerëzish në të gjitha zonat e dëmtuara, dhe spikati me kontributin e tij të veçantë humanitar si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, për shpëtimin e të riut Klajdi Qato.
Mirënjohje Grei Malos që dha një shembull të jashtëzakonshëm të sakrificës dhe profesionalizmit, duke na bërë krenarë dhe gëzuar respektin e të gjithë shqiptarëve!
Mirënjohje të gjithë anëtarëve të Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile./Gazeta Sinjali/