Kroacia do të nis për në Kosovë një grup prej 37 ushtarësh, të cilët do të shpërbejnë në kuadër të trupave të KFOR-it.
Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, i cili mori pjesë në ceremoninë lamtumirëse , përsëriti se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht, dhe të tillë e njeh edhe shteti i tij.
“Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht. Serbia nuk e pranon këtë dhe siç janë gjërat nuk do e pranojë. Por ne nuk ndërhyjmë në politikë më shumë se ajo çfarë bëmë shumë vjet më parë kur e njohëm Kosovë”, tha Milanoviq.
Ai tha se veprimi i shtetit të tij nuk erdhi “për të dëmtuar Serbinë” pasi nuk ndjekin politikë të tillë, por siç tha “për të shpërblyer Kosovën”.
Përveç presidenti Milanoviq, në përcjelljen e kontingjentit kroat për Kosovë në kuadër të KFOR-it, morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, admirali Robert Hranj si dhe komandanti i ushtrisë kroate, gjeneral kolonel Boris Seriq.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka 3,746 trupa në Kosovë, që vijnë nga 28 vende të botës.