Presidenti i Federatës së Futbollit të Rumanisë (FRF), Razvan Burleanu, beson se gara nga Grupi I për kualifikim në Kampionatin Evropian “Euro 2024” nuk është e drejtë, duke përmendur ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit, që do të zhvillohet nesër.
Ai këtë vlerësim e bëri duke u bazuar në listën e futbollistëve të ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji, duke përmendur mungesën e dy prej futbollistëve kryesorë, Amir Rrahmanit dhe Edon Zhegrovës.
“Pashë ekipin final nga Kosova për ndeshjen me Izraelin dhe vura re se lojtarët që ishin në fushë kundër Rumanisë, si Rrahmani nga Napoli apo Zhegrova nga Lille, nuk janë më në dispozicion. Në këtë kontekst mund të themi se ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit nuk do të jetë më aq e drejtë sa ndeshja jonë me Kosovën“, tha Burleanu në një konferencë për shtyp.
I pari i FRF-së shtoi: “Ne sigurisht largohemi me një disavantazh nga ky këndvështrim. Por, në të njëjtën kohë shpresojmë që skuadra e përzgjedhur e Kosovës të luajë këtë shans që ka ende për kualifikim në Evropian, sepse siç dihet Kosova ka ende shanse matematikore”.
Në Grupin I ende është e hapur gjithçka. Rumania prin me 16 pikë, Zvicra është e dyta me 15, kurse Izraeli i treti me 11 sosh.
Kosova është e katërta me shtatë pikë, pasuar nga Rumania me gjashtë dhe Andorra me dy.
Ndeshjet nga Grupi I për këtë muaj:
12 nëntor: Kosova – Izraeli
15 nëntor: Izraeli – Zvicra
18 nëntor: Bjellorusia – Andorra, Izraeli – Rumania, Zvicra – Kosova
21 Nëntor: Rumania – Zvicra, Andorra – Izraeli, Kosova – Bjellorusia