Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, nisen sot për të marrë pjesë në funeralin shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II.
Lajmin e bëri të ditur Presidenca, përmes një njoftimi zyrtar.
“Me ftesë të Mbretit Charles III, të Mbretërisë së Bashkuar dhe Commonwealth-it, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, niset sot drejt Londrës për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II. I shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, Presidenti do të jetë pjesë e ceremonialit të homazheve, për nder të Mbretëreshës Elizabeth II”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë do të jenë të ftuar në pritjen mbretërore, në të cilën krerët e shteteve nga e gjithë bota do të mirëpriten nga Mbreti Charles III, në Pallatin Buckingham.
Në kuadër të programit ceremonial, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, do të marrin pjesë dhe në pritjen e organizuar nga Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.
Në ceremonitë e organizuara me këtë rast, do të marrin pjesë autoritetet më të larta shtetërore të vendeve të ndryshme të botës.