image Presidenca tregon se kur shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

Kosovë

Dorëheqja/ Presidenca tregon se kur shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

news image

Me emërimin e Agim Veliut në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, Podujeva ka mbetur pa kryetar. Aktualisht kompetencat e kryetarit në këtë komunë po ushtrohen nga Nexhmi Rudari, deri më tani nënkryetar i Podujevës.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në zyrën për informim të presidentit Hashim Thaçi, për të kuptuar se kur do t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë. Nga kjo zyrë kanë konfirmuar se ende nuk kanë pranuar asnjë njoftim zyrtar për dorëheqjen e ish-kryetarit Veliu.

Të njëjtit kanë shpjeguar se zgjedhje tduhet të shpallen ‘jo më vonë se dhjetë ditë pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës dhe se ato duhet të mbahen jo më herët se tridhjetë ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë ditë pas dorëheqjes së kryetarit’.

“Ende nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar për dorëheqjen e Kryetarit të Komunës së Podujevës, siç është bërë në të kaluarën nga ana e MAPL-së. Siç është përcaktuar në legjislacionin në fuqi, mandati i Kryetarit të Komunës, i cili ndërpritet me dorëheqje, zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në atë komunë. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për Kryetar të Komunës së Podujevës duhet të shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës dhe se ato duhet të mbahen jo më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas dorëheqjes së kryetarit. Nesër do ta bëjnë betimin anëtarët e rinj të KQZ-së dhe pas kompletimit të këtij institucioni, sapo ta pranojmë njoftimin zyrtar, brenda afatit ligjor do të ndërmerren të gjithë hapat tjerë.”, thuhet në përgjigjen e presidencës për Gazetën Sinjali.

Ish-kryetari i Podujevës Agim Veliu, i cili udhëhoqi për disa mandate këtë komunë dje ka pranuar detyrën si ministër i Punëve të Brendshme. /Gazeta Sinjali/