image Presidenca: Të votohet urgjentisht rezoluta që ia ndalon Hotit të negociojë çështjet e brendshme të Kosovës

Politikë

Presidenca: Të votohet urgjentisht rezoluta që ia ndalon Hotit të negociojë çështjet e brendshme të Kosovës

news image

Zyra e Presidentit të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht të votojë një rezolutë që ia ndalon kryeministrit, Avdullah Hoti, të negociojë çështje të brendshme të Kosovës dhe për temat të cilat, sipas kësaj zyre, e rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

“Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhet në  deklaratën e dërguar nga Zyra e Presidentit.

Kjo zyrë ka përsëritur qëndrimet e presidentit se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

“Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, thuhet tutje në deklaratë.

Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel, sipas presidencës, është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë nga kjo zyre thonë se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit të Kosovës./Gazeta Sinjali/