Zyra e Presidentit të Kosovës ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se presidenti duhej t’i raportonte Kuvendit para se të shkonte për vizitë në Shetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyra e Presidentit përmes një përgjigje ka thënë se presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme dhe që nga dhjetori i vitit 2019 i është kërkuar Kuvendit që të organizojë seancë, që presidenti t’i drejtohet deputetëve.
Zyra e Presidentit ka thënë se të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme i subordinohen presidentit dhe jo anasjelltas, në këtë rast edhe qeveria dhe kryeministri, të cilat kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues lidhur me propozimet e tyre.
“Presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme. Si Zyre e Preside ntit, në emër të presidentit Thaçi, qysh nga dhjetori i vitit 2019-të i kemi shprehur me shkrim gatishmëri Kuvendit, që presidenti t’i drejtohet deputetëve, por kjo seancë ende nuk është organizuar. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër, që presidenti kërkon t’u drejtohet deputetëve. Po ashtu, presidentit Thaçi i subordinohen të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme, në këtë rast edhe qeveria dhe kryeministri, që kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues për propozimet e tyre dhe jo anasjelltas”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.
Ndërsa, lidhur me propozimet e Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për tërheqjen e disa ambasadorëve, Zyra e Presidentit ka thënë se deri më tash nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim për tërheqje ambasadorësh, por emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve është e drejtë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Nëse këto propozime vijnë zyrtarisht nga ana e Qeverisë, presidenti gjithsesi që i shqyrton”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka kërkuar që më 4 mars të mbahet një seancë për t’i njoftuar deputetët në lidhje me vizitën e realizuar në SHBA dhe takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Teksa për këtë ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se Thaçi do të duhej të raportonte në Kuvend dhe të zhvillonte takime me të për unifikim të politikës së jashtme para se të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Gazeta Sinjali/