Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka përmbushur pjesërisht pritjet e tij.
Prelec ka thënë se nuk pret marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, edhe për shkak se Kurti dëshiron të mos i japë proritet këtij procesi. Prelec beson se Kosova do të ishte mirë që ta provonte se çfarë mund t’i ofrojë iniciativa rajonale, Ballkani i Hapur. Sa i përket sundimit të ligjit, ai thotë se Qeveria e Kurtit duhet të ketë kujdes që luftën kundër krimit të mos e bëjë mbi baza etnike.
Marko Prelec thotë se të gjitha shtetet tjera fqinje kanë qenë duke u përballur më keq se Kosova me pasojat e pandemisë globale.
“Në fillim ndoshta ka qenë më keq sesa vendet e rajonit, për shkak të fushatës së ngadalshme të vaksinimit, mirëpo më pas ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm, duke u siguruar se vaksinat kanë arritur te njerëzit”.
Në pyetjen se si e shihni që LVV për herë të parë pas pavarësisë ka formuar e vetme Qeverinë, pa asnjë parti shqiptare në koalicion dhe pastaj e njëjta pas tetë muajve, ka fituar katër prej 38 komunave në zgjedhjet lokale, Marko Prelec thotë se LVV duhet të jetë e zhgënjyer nga rezultatet në këto zgjedhje.
“Është sfidë që të organizohet një lëvizje e madhe me njerëz për të kundërshtuar të kaluarën dhe në të njëjtën kohë të identifikohen liderë lokalë karizmatikë për të krijuar në infrastrukturë politike që më pas të ketë sukses në zgjedhjet lokale. Nuk është e çuditshme që dolën keq. Mjaft keq”
Tutje ai shton se “Ata kanë shënuar disa suksese, por edhe dështime po ashtu. Dhe, kjo më duket se është zemëruese, sepse ka pasur shenja se vetë Albin Kurti dhe Lëvizja që ai drejton, nuk e admirojnë ideologjinë, por suksesin dhe aftësitë politike të disa liderëve tjerë në rajon që kanë pushtet të plotë. Shumica prej tyre janë populistë sikurse (presidenti serb, Aleksander) Vuçiq, apo lideri i Republikës Sërpska (Millorad) Dodik, apo edhe (kryeministri hungarez, Viktor) Orban në Hungari. Vetëvendosje nuk është as afër, nuk e ka atë shkallë të pushtetit. Dhe, mendoj se kjo është gjë e mirë për Kosovën”.
Gjithashtu shton se “është mirë për Kosovën që është parti e re dhe nuk ka dalë nga periudha e luftës për pavarësi, por nga koha pas pavarësisë, ndonëse i ka rrënjët më të thella”.
Tutje ai tha se është hera e parë që mund të udhëheqë vetëm me partitë e minoriteteve.
Sipas tij, kjo e qartëson skenën politike dhe njerëzit e dinë se kush është përgjegjës.
“Tani ka mundësi për llogaridhënie politike gjë që vështirë arrihet kur kemi disa parti të njëjta dhe të vogla që vazhdimisht janë nëpër koalicione. Ky është zhvillim i shëndetshëm për Kosovën. Mirëpo, ndërkohë po shfaqin kokën edhe vështirësitë”.
Marko Prelec thekson se Albin Kurti është pak a shumë kryeministri që priti duke thënë se “unë kam pritur që ai të jetë – siç edhe e konsideron veten deri diku – progresist apo lider nacionalist i krahut të majtë. Dhe, në këtë mënyrë ka qeverisur. Ai ndjek ideologjinë e nacionalizmit të krahut të majtë”.
“Kam pritur nga ai të bëjë dy gjëra, të cilat i ka bërë në mënyrë të ndryshme. Kam pritur që ai të fokusohet në konsolidim të pushtetit brenda vendit, pra që të ketë kontroll mbi Qeverinë e Kosovës, ndonëse është sfiduese sepse ai vjen në një strukturë të dominuar plotësisht nga njerëzit që janë emëruar nga armiqtë e tij politikë. Sektori i shërbimeve civile është, po ashtu, i politizuar. E dimë se duhet të ishte i pavarur, por në realitet nuk është gjithmonë i pavarur”.
“Kjo ndoshta mund të mos tingëllojë mirë, mirëpo duhet të ketë kontroll në mënyrë që të gjitha nivelet e pushtetit të mund të udhëhiqen në mënyrë efikase. Kam pritur që të punojë edhe në disa çështje të përditshmërisë së popullit të Kosovës. Vende të punës, edukim dhe gjëra tjera. Në këtë aspekt mendoj se nuk ka qenë shumë efikas dhe më pak vizionar sesa që kam shpresuar. Ka shumë gjëra që një shtet si Kosova mund të bëjë, sidomos sa i përket kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të sistemit shumë të dobët të edukimit. Kjo gjë do të mund ta shpërblente për disa hapa të guximshëm që nuk po i merr”, theksoi ai.
Ai mes tjerash përmendi edhe mospjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur”, derisa tha “mendoj se po humb, sepse një fushë në të cilën do të mund të punonte Kosova është ajo e marrëdhënieve multilaterale. Marrëdhëniet bilaterale me Serbinë janë të bllokuara, mirëpo ekziston mundësia që të ndërveprojë me Serbinë si e barabartë në forumet rajonale. Do t’ia vlente që të provohej si përvojë”.
Ai tutje shtoi se “Serbia ka thënë se është e hapur në këtë iniciativë, ashtu sikurse dy vendet tjera, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Alternativë e kësaj iniciative është Procesi i Berlinit. Nuk e kuptoj pse shkojnë te njëra dhe jo te tjetra. Ndoshta sepse përmes Ballkanit të Hapur mund të bëhen disa gjëra shpejt dhe në mënyrë të pistë, qofshin ato edhe vetëm premtime. Procesi i Berlinit, në anën tjetër, duket se po merr shumë kohë dhe nuk po prodhon shumë rezultate”.
Në intervistën e realizuar nga Radio Evropa e Lirë, Prelec ndan mendimin edhe për liberalizimin e vizave, i cili thotë se nuk e di nëse do të ndodhë, mirë sipas tij duhet të ndodhë.
“E ndaj mendimin e njëjtë sikurse të shumë tjerëve se kjo është një ndër dështimet më të dëmshme të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare. Shtetet që kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, duhet ta ndërrojnë pozicionin e tyre menjëherë. Një mik i imi thotë se Kosova duhet të punojë me parlamentet e Francës, të Holandës dhe secilit shtet që ka dilema. Thjesht, duhet t’i pyesin: Si mund t’ju bindim? Nuk e di nëse do të ndodhë liberalizimi, mirëpo duhet të ndodhë”./GazetaSinjali/