image Prangoset një zyrtar i Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Malishevë, dyshohet për keqpërdorim të pozitës

Siguri

Prangoset një zyrtar i Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Malishevë, dyshohet për keqpërdorim të pozitës

news image

Një zyrtar i Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Gjakovë kanë bërë të ditur se ndaj zyrtarit në fjalë, më 11 janar të këtij viti, ishte iniciuar rasti “Falsifikim i dokumentit”.

Ai dyshohet se në rubrikën “Vërejtje” të librezës së një veture, kishte shkruar se gjoja xhamat e pasmë të kësaj veture janë të errësuar nga prodhuesi, ndonëse një gjë e tillë nuk ishte vërtetë.

Pas këtij rasti, prokurori kishte autorizuar drejtorinë e policisë në Gjakovë që të bëjë kontrollimin e lëndëve në këtë qendër për periudhën kohore 2018-2020.

Gjatë këtij kontrolli, Sinjali mëson se hetuesit policorë kishin hasur në shumë shkelje të ndryshme në lëndët e punuara nga ky zyrtar.

Shkelje më të shpeshta ai dyshohet se ka bërë me pagesat e taksave komunale. Ky zyrtar dyshohet se ka bërë regjistrimin e automjeteve pa taksa komunale dhe se në ato lëndë kishte vendosur taksa të palëve të tjera.

Mirëpo, këto nuk janë shkeljet e vetme që ky zyrtar dyshohet t’i ketë kryer.

Këto burime po ashtu thonë se i dyshuari ka kryer regjistrimin e automjeteve pa certifikatë për kontrolle teknike dhe pa dokumentacionin përkatës që kërkohet në bazë të ligjit.

Kështu, zyrtari i Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve dyshohet se duke bërë regjistrime të automjeteve pa pagesa të taksave komunale, ka përfituar për vete shuma të konsiderueshme të parave, në mënyrë të kundërligjshme, duke e dëmtuar buxhetin e Kuvendit Komunal të Malishevës.

Andaj, po dyshohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sinjali mëson se i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë./Gazeta Sinjali/