Kanë kaluar gati gashtë muaj nga data kur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk e ka bërë dekretimin e tij.
Zyra e Presidentes e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial më 8 prill 2022, vetëm dy ditë pas nominimit të tij. E ndonëse e ka obligim ligjor dekretimin e kryeprokurorit, Vjosa Osmani po e zvarrit këtë çështje deri në pafundësi.
Përveç afatit ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja Osmani nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Megjithatë, për dallim nga Osmani, ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte respektuar këtë afat dhe e kishte dekretuar ish-kryeprokurorin Aleksandër Lumezi brenda 60 ditëve nga marrja e propozimit nga KPK-ja .
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 13 qershor kishte dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ndërsa, ish-kryeprokurorit Aleksandër Lumezi i kishte skaduar mandati më 21 prill.
Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.