image Pompeo tregon planin e SHBA-së, synojnë ta kthejnë gjithë botën kundër Kinës

Botë

Pompeo tregon planin e SHBA-së, synojnë ta kthejnë gjithë botën kundër Kinës

news image

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se Washingtoni po synon krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për ta kundërshtuar ndikimin e Kinës.

Ai e ka akuzuar Pekinin se po e shfrytëzon pandeminë e koronavirusit për t’i çuar më tej interesat e veta. Pompeo i bëri deklaratat të martën në Londër pas takimit me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe Sekretarin e Jashtëm Dominic Raab.

Tensionet midis Perëndimit dhe Kinës janë rritur për shkak të mungesën së transparencës nga ana e Pekinit në lidhje me shpërthimin e pandemisë, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, dhe akuzat e piraterisë në internet. Pompeo tha se çdo vend që “kupton vlerat e lirisë dhe demokracisë, duhet të njohë kërcënimin që paraqet Kina”.

“Shpresojmë se mund të krijojmë një koalicion që e kupton këtë”, tha ai.

Marrëdhëniet e SHBA-së me Kinën janë të tensionuara për një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, të drejtat e pronësisë intelektuale, teknologjinë 5G dhe të drejtat e njeriut. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën se e ka mashtruar botën në lidhje me pandeminë e koronavirusit. /Gazeta Sinjali