Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo e ka përsëritur kërkesën për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje e Hercegovinës.
Ai ka thënë se pret që Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore mes Prishtinës dhe Beogradit.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus përmes një komunikate tha se sekretari Pompeo gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ripohoi partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
“Sekretari Pompeo po ashtu, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Speciale, puna e së cilës është jetike për të sjellë drejtësi për viktimat dhe për të forcuar shtetin ligjor në Kosovë”, thuhet në komunikatën e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit.
Gjatë ditës së djeshme presidenti Hashim Thaçi është takuar me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, ku e ka falenderuar angazhimin e tij për integrimin e plotë të Kosovës në familjen Euro- Atlantike./Gazeta Sinjali/