“Ka prova të shumta mbi faktin që koronavirusi vjen nga laboratori i virologjisë së Wuhan-t”. Kështu deklaroi sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo në një intervistë për ABC News. Pastaj shton dozën e akuzave: “Kina bëri gjithçka çfarë mundi që ta mbante botën në errësirë lidhur me koronavirusin”.
Pompeo nuk dëshiroi që të specifikonte nëse dalja e virusit ishte padashje apo me qëllim. Kjo është akuza e fundit e Uashingtonit në drejtim të Kinës.
Pikërisht për shkak të këtyre akuzave, SHBA i ndërpreu fondet OBSH-së, pasi e cilëson si bashkëpunëtore të Kinës.
Ndërkohë, një amerikan ka humbur jetën çdo 44 sekonda në muajin prill për shkak të koronavirusit. Shifrat e frikshme raportohen nga CNN, që bazohet tek të dhënat e raportuara nga universiteti Johns Hopkins.
Më shumë se 1,1 milionë persona janë infektuar me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, ndërsa bilanci i viktimave i tejkalon 66 000. Testet e kryera janë 6,8 milionë në një popullsi prej 330 milionë personash.
Shteti më i goditur mbetet Nju Jorku, që regjistron çerekun e të prekurve dhe viktimave. /Gazeta Sinjali/