Ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, tha se po përgatiten për skenarë të ndryshëm sa i përket situatës Ukrainë – Rusi. Ai tha se po përgatiten edhe për numër të madh të refugjatëve ukrainas.
“Është e qartë se për shkak të situatës në Ukrainë ne po përgatitemi për skenarë të ndryshëm. Një prej tyre janë veprimet e [provincave] lidhur me fluksin e mundshëm të refugjatëve nga Ukraina, të cilët, për shkak të një konflikti të mundshëm, mund të kërkojnë një strehë të sigurt në vendin tonë”, tha Kaminski.
Kryetari i qytetit lindor polak të Ciechanow tha të shtunën se atij iu kërkua nga qeveria rajonale që të përgatiste strehim për refugjatët e mundshëm, raporton The Guardian.
“Na u kërkua të tregonim listën e objekteve të akomodimit për refugjatët, numrin e njerëzve që do të ishte e mundur të akomodoheshin, kostot e përfshira dhe kohën për përshtatjen e ndërtesave me një rekomandim deri në 48 orë”, shkroi Krzysztof Kosinski në Twitter.