Polonia ka njoftuar se është e gatshme të dorëzojë të gjithë aeroplanët ushtarakë MiG-29 në bazën ajrore amerikane në Gjermani, dhe u ka bërë thirrje vendeve tjera anëtare të NATO-s, që kanë aeroplanë të tillë të prodhuar nga Rusia, që ta bëjnë të njëjtën gjë, ka thënë Ministria e Jashtme polake përmes një deklarate më 8 mars.
Ligjvënësit amerikanë kanë shtyrë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden më 7 mars që të ndërmjetësojë transferimin e aeroplanëve nga Ukraina në Poloni, pas një kërkese që ka bërë më 5 mars, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
“Autoritetet e Republikës së Polonisë janë të gatshme të dorëzojnë – menjëherë dhe pa kosto shtesë – të gjithë aeroplanët MiG-29 në bazën ajrore Rammstein dhe t’i vendosin në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Ministria.
“Në të njëjtën kohë, Polonia i kërkon ShBA-së që t’i ofrojë aeroplanë të përdorur me kapacitete të ngjashme operacionale. Polonia është e gatshme që menjëherë të diskutojë për kushtet e blerjes së aeroplanëve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar gjatë fundjavës se janë duke punuar në një marrëveshje me Poloninë për ta furnizuar Ukrainën me aeroplanë.
Është raportuar se Polonia do të dorëzojë aeroplanët MiG-29 në këmbim të aeroplanëve ushtarakë amerikanë.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën, raporton REL.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.