Ukraina është bërë pjesë e një thirrjeje për përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së, duke kërkuar ekuilibër dhe proporcionalitet në marrëdhëniet e bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën e Serbinë dhe specifikisht qasje më të ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Për letrën dërguar diplomatëve të lartë të Perëndimit raportuan edhe në Kyiv.
“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale”, thuhet në një letër të përbashkët të kryetarëve të komiteteve të politikës së jashtme të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, e ku ka marrë pjesë edhe Ukraina.
Aty ka nënshkruar kreu i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko. Një befasi kjo, pasi që Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
E Merezhko ka shkruar tani se është nder të qëndrosh në mbështetje të lirisë, demokracisë, paqes dhe stabilitetit.
“Bota e lirë nuk duhet të heqë sytë nga Ballkani. Balancimi dhe proporcionaliteti duhet të jenë fjalët tona në trajtimin e Kosovës dhe Serbisë”, shprehet ai.
Kjo deklaratë e tij vjen si koment në reagimin e deputetes britanike, Alicia Kearns, ku e ka falënderuar deputetin ukrainas për përkrahjen e ofruar me nënshkrimin e letrës drejtuar BE-së, ShBA-së, si dhe Britanisë së Madhe për raportet Kosovë-Serbi.