image Policisë së Kosovës i kërkohet të ofrojë informata lidhur me lirimin e mundshëm të Veselit, Selimit e Krasniqit

Drejtësi

Policisë së Kosovës i kërkohet të ofrojë informata lidhur me lirimin e mundshëm të Veselit, Selimit e Krasniqit

news image

Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë, kanë lëshuar një urdhër për Policinë e Kosovës, që tu përgjigjen në detaje nëse ky institucion i sigurisë mund të sigurojë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen prej gati një viti të paraburgosur në Hagë.

Policia e Kosovës sipas urdhërit të lëshuar me 8 tetor nga Haga, kanë dy javë kohë, prej kësaj date, që të përgjigjen për kërkesën e Dhomave të Specializuara për Kosovën.

Në dokumentin e lëshuar nga gjyqtari francez, Nicolas Guillou, thuhet se Policia e Kosovës urdhërohet, po ashtu, që të respektojë konfidencialitetin dhe përmbajtjen e procedurës.

“Gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës, siç speficikohet më tej në aneksin e këtij urdhri, të ofrojë informata sa i përket: autoritetit dhe aftësisë së Policisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjet e individëve që janë subjekt të lirimit me kusht, monitorojnë dhe kufizojnë komunikimet e individëve të tillë, të administrojnë arrestin shtëpiak dhe të zbatojnë kushtet e bashkangjitura me lirimin e përkohshëm dhe rastet e mëparshme të aplikimit të këtyre kushteve te personat e liruara me kusht të akuzuar për krime të rënda. Po ashtu, Policia e Kosovës mund të ofrojë çdo informatë shtesë që mund të konsiderohet si relevante në lidhje me fuqizimin e lirimit me kusht. Policia e Kosovës duhet të lidhet me çdo departament apo autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informatat e nevojshme”, shkruhet në urdhrin e lëshuar nga Guillou.

Paneli i Gjykatës së Apelit në Speciale ka miratuar pjesërisht apelet e Veselit, Selimit e Krasniqit kundër vendimeve të gjykatësit së procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim.

Ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaҫi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Haga për krime lufte në Kosovë.

/Gazeta Sinjali/