image Policin amerikan e lëshojnë këmbët, pasi teston pluhur të bardhë nga një veturë e dyshimtë

Botë

Policin amerikan e lëshojnë këmbët, pasi teston pluhur të bardhë nga një veturë e dyshimtë

news image

Një polic në Florida të Shteteve të Bashkuara, i cili dyshohet se ka pasur kontakt me fentanil gjatë një ndaljeje në trafik këtë javë, dëgjohet duke i thënë një kolegu se po ndihej i trullosur, zemra po i rrihte shpejt dhe më vonë nuk mund t’i ndiente këmbët, sipas pamjeve të incizuara nga kamera e trupit.

Polici Nick Huzior tha se filloi të kishte marramendje, pasi testoi me gjuhë ca pluhur të bardhë, e cila më vonë doli se ishte fentanil, që u gjet brenda veturës së një të dyshuari që policia e ndali të enjten pasdite në Bunnell.

I dyshuari, i identifikuar si George Clemons, 61 vjeç, ishte raportuar për vozitje të pakujdesshme dhe u arrestua për vozitje nën ndikim të substancave dhe posedim të fentanilit, kokainës e marijuanës dhe ikje nga vendi i një aksidenti, në mesin e akuzave të tjera. Ai është duke u mbajtur në ndalim.

“Ndihem vërtet i trullosur. Zemra po më rrah vërtet shpejt”- i thotë polici Huzior kolegut të tij pas kontaktit me fentanil para se të arrinte ekipi emergjent.

Më vonë, ai u tha anëtarëve të ekipit emergjent: “Nuk mund t’i ndiej këmbët dhe duart po më dridhen.”

Atij iu dhanë dy doza “Narcan” dhe u dërgua në spital. Policia njoftoi se Huziori u lirua më vonë nga spitali dhe është duke e marrë veten.

“Ajo që ndodhi është shembull i përkryer i rreziqeve me të cilat ballafaqohen forcat e rendit përditë nga helmi në rrugë”- tha në një deklaratë komandanti i policisë lokale, Rick Staly.

Fentanili është drogë deri në 50 herë më e fuqishme se heroina dhe 100 herë më e fuqishme se morfina. Fentanili është kontribuues i madh i mbidozave fatale dhe jofatale në ShBA.

Përderisa doza fatale e heroinës është rreth 30 miligramë, doza fatale e fentanilit është dy-tre miligramë.

/GazetaSinjali/