image Policia: Veprat penale kanë shënuar rënie sivjet, por ka më shumë të arrestuar

Siguri

Policia: Veprat penale kanë shënuar rënie sivjet, por ka më shumë të arrestuar

news image

Policia e Kosovës ka njoftuar se numri i veprave penale ka shënuar rënie për – 6.15% këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas të dhënave të policisë së Kosovës sivjet janë raportuar gjithsej 23 mijë e 114 raste të veprave të ndryshme penale, 1 mijë e 517 raste më pak se gjatë vitit të kaluar.

“Parametrat e matjes së krimit në përgjithësi krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë shënuar rënie. Kështu, veprat penale, për këtë periudhë kohore kanë shënuar rënie për – 6.15% (nga 24 mijë e 631 në 2019, në 23 mijë e 114 në 2020)“, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia bën të ditur se rënie sivjet kanë shënuar edhe rastet e iniciuara nga policia, derisa njofton se ka rritje të numrit të të arrestuarve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Po ashtu edhe rastet ( veprat penale plus incidentet tjera) të iniciuara nga policia, kanë shënuar rënie për – 6.31%. Policia e Kosovës, në zbatim të detyrave të saja, në realizim të Planit të Punës, gjatë kësaj periudhe ka arrestuar 9 mijë e 715 të dyshuar, ose 12.71% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, numri i personave që janë dërguar në mbajtje është 3 mijë e 870, ose 9.87% më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, njofton policia.

Sipas të dhënat të policisë, gjatë këtij viti ka rënë edhe numri i vjedhjeve dhe grabitjeve.

“Veprat penale (ato më kryesoret), kundër pasurisë, kanë shënuar një ulje të ndjeshme, kështu:- Numri i vjedhjeve ka shënuar ulje, nga 4 mijë e 131 në 3 mijë e 492 ose -15.46%;- Numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar ulje, nga 3 mijë e 421 në 3 mijë e 30 ose -11.42 %.- Numri i rasteve grabitje ka shënuar ulje nga 147 në 127 ose -13.60%.”

Policia e Kosovës edhe përkundër uljes së trendit të krimit, premton se do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në zbardhjen e çdo rasti, në identifikimin e çdo personi të dyshuar, me qëllim për të zbatuar synimet e saja, për të ofruar një siguri dhe një ambient të qetë për të gjithë. Njëkohësisht Policia, ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar në të mirë të sigurisë publike në përgjithësi./Gazeta Sinjali/