Policia e Nigerisë ka deklaruar se ka shpëtuar rreth 500 burra dhe djem nga një ndërtesë, në qytetin verior të Kaduna, ku dyshohet se u torturuan.
Ata u gjendën në ndërtesën e një shkolle islamike, dhe në mesin e tyre kishte një numër të madh të fëmijëve.
Disa u gjetën të lidhur me zinxhirë, tha policia.
Shefi i policisë në Kaduna, Ali Janga, i tha BBC-së, se ndërtesa u sulmua pasi që autoritetet morën informacionin mbi një aktivitet të dyshimtë.
Ai e përshkroi atë si një “shtëpi torturash” dhe një vend të skllavërisë njerëzore.
Të ndaluarit thanë se ishin torturuar, abuzuar seksualisht, ishin të uritur dhe e kishin të ndaluar të largoheshin nga ndërtesa.
Disa prej tyre kishin qëndruar aty për disa vjet. Në mesin e robërve kishte edhe fëmijë pesë vjeç, tha policia.
Nuk është ende e qartë se si përfunduan në atë ndërtesë.
Disa nga fëmijët i thanë policisë se të afërmit e tyre i kishin çuar atje, duke besuar se ndërtesa ishte një shkollë për mësimin e Kuranit.
Dy nga fëmijët e liruar nga policia thanë që prindërit e tyre, i kishin dërguar atje nga Burkina Faso. Policia beson se pjesa tjetër ishin kryesisht nga pjesa veriore e Nigerisë.
Tetë të dyshuar, shumica prej tyre mësues, u arrestuan./Gazeta Sinjali/