Fotografitë e realizuara në rrugët e Rusisë tregojnë se si policët e veshur me helmeta të zeza kanë tërhequr zvarrë njerëzit që kishin dalë të protestonin kundër luftës në Ukrainë.
Mediat e huaja shkruajnë se më shumë se 1000 njerëz janë arrestuar në 37 qytete në të gjithë Rusinë, duke përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun. Sipas grupit të pavarur të monitorimit të protestave OVD-Info, protestuesit shprehën zemërimin e tyre ndaj urdhrit të presidentit, Vladimir Putin, për të mobilizuar 300 mijë rezervistë.
Në Moskë, protestuan edhe shumë gra të cilat brohoritën: “Jetë për fëmijët tanë”, dhe “Jo luftës”. Sipas videove të postuara në rrjetet sociale, qindra persona protestuan, teksa protestuesit formuan zinxhir njerëzor, duke u kapur për dore me njëri-tjetrin.