Tregu amerikan i aksioneve pësoi të premten uljen më të madhe që nga kriza e vitit 2008. Në vende tjera, tregu i aksioneve ra edhe më shumë pas frikës që përhapur COVID-19, virusi që u shfaq për herë të parë në Kinë, por që më pas u përhap në disa vende të botës. Situata vazhdon të përkeqësohet. Shumë vende kanë marrë masa drastike pas identifikimit të rasteve të para me koronavirus.
Frika nga ndikimi që mund të ketë në ekonominë botërore përhapja e koronavirusit, solli javën më të rëndë në tregun amerikan të aksioneve që nga kriza financiare e vitit 2008. Por drejtori i Këshillit Amerikan për Ekonominë tha se nuk ka vend për shqetësim. “Nuk mendoj se rënia momentale e tregut të aksioneve do të ketë ndikim afatgjatë”, tha Larry Kudlow.
Të premten, tregjet e aksioneve pësuan rënie edhe në vende tjera. “Në Azi, të gjitha tregjet ranë konsiderueshëm ashtu sikurse edhe në “Wall Street”, nga frika e përhapjes së koronavirusit. Ditët e fundit edhe Hong Kongu dhe Kina që ishin të qëndrueshme ndoqën ritmin e përgjithshëm”, tha drejtori për menaxhim të pasurive në korporatën “Amber Hill Capital”. Por, çfarë e shkaktoi gjithë këtë pasiguri?
“Arsyeja që shqetësohemi është se kjo është diçka e re dhe është tejet e paqartë se si do të përfundojë. Ndaj si epidemiolog e doktor, jam i çuditur, por jo i frikësuar sepse besoj në sistemin e shëndetit publik”, tha dekani i shkollës së shëndetit publik në Meriland, epidemiologu Boris Lushniak. Ndërkohë, disa vende të tjera kanë njoftuar raste të reja të infektimit, përfshirë edhe Nigerinë që është vendi më i populluar në Afrikë. “Rasti u konfirmua më 27 shkurt 2020”, tha Osagie Ehanire.
Ndërsa Arabia Saudite ende nuk ka identifikuar ndonjë rast, vendi ka anuluar vizitat për në vendin e shenjtë të myslimanëve për pelegrinazhin e njohur që zhvillohet në Mekë. Vendimi i pazakontë ngjalli dyshime nëse do të lejohen vizitat gjatë kohës së haxhit, kur miliona njerëz vizitojnë këtë vend. “Është normale që njerëzit të frikësohen, është shtëpia e Zotit, të cilën secili ka të drejtë ta vizitojë. Zoti nuk do të lëndojë njerëzit e tij, ai është i butë, ai na do”, tha një turist nga Tunizia.
Japonëzët kanë shprehur mosajtim me vendimin e Kryeministrit Shinzo Abe për mbylljen e shkollave, ndërsa vendi po përgatitet për organizim të lojërave olimpike verore. “Meqenëse semestri i tretë ende nuk ka mbarar mendoj se ndërprerja e shkollës do të shkaktojë probleme në kohën kur bëhet vlerësimi”, tha Haruna Hori, nënë e një studenti. Njoftimet e së premtes në Kinë kanë krijuar shpresë për përmirësim të situatës, e cila njoftoi 44 raste të reja të personave që kanë humbur jetën dhe 327 raste të reja të infektimit, shifrat më të ulta që nga përhapja e koronavirusit. /Gazeta Sinjali/