image Policia ende s'është deklaruar për suspendimin e policit Hoxha

Siguri

Policia ende s’është deklaruar për suspendimin e policit Hoxha

news image

Një status në Facebook i kushtoi më suspendim për tri ditë nga puna, zyrtarit policor të rajonit të Prishtinë, Amir Hoxhës. Suspendimi erdhi pasi i njëjti kishte publikuar në Facebook një postim ku kërkonte pagesat e shujtave për zyrtarët policorë. Nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se nuk janë duke e trajtuar këtë rast dhe se vendimi për suspendim është marrë nga Policia e Kosovës. Këta të fundit ende nuk janë deklaruar për këtë rast, raporton Sinjali.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje të adresë të Policisë së Kosovës lidhur me suspendimin e Hoxhës nga puna dhe nëse arsyet kanë të bëjnë me postimet  në Facebook, por deri këto momente nuk ka pranuar përgjigje.

Njoftimin për suspendim e ka bërë vet Hoxha përmes një postimi në Facebook, pas mesnate.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm timin në afat prej 3 ditesh lidhur me një postim qe e kam bërë me datën 04.02.2022 ne lidhje me pakënaqësinë time per mospagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, ka shkruar ai.

Sqarimi nga Inspektorati Policor i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës në një reagim për media kanë njoftuar se nuk janë duke u marrë me këtë rast, pasi suspendimi është bërë nga Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka pranuar kërkesa të shumta lidhur me suspendimin e një zyrtari policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës.

Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj”, thuhet në sqarimin e IPK-së.

Sindikata e Policisë: Nuk kemi të drejtë të bëjmë publikime politike

Për suspendimin e policit janë deklaruar edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.  Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, ka deklaruar për Sinjalin, i cili ka theksuar se sipas urdhëresës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të postojnë mjete apo komente politike.

 “Janë disa gjëra të kufizuara në polici. Ne nuk kemi të drejtë të bëjmë publikime politike. Është një urdhëresë nga menaxhmenti që thotë se nuk kemi të drejtë të bëjmë komente politike. Ajo urdhëresë është që disa vite”, ka thënë ai.

Megjithatë Zeqiri tha se nuk duhet të mohohet e drejta e policëve për t’i kërkuar të drejtat e veta. Ai njoftoi po ashtu se janë duke mbledhur informacione dhe do të dalin me një komunikatë për media për detaje të tjera.

“Një gjë dua ta bëj të qartë, që policëve nuk duhet t’iu mohohet e drejta për t’i kërkuar të drejtat që iu takojnë“, tha ai për Sinjalin.

Deklarimi nga KMDLNj

Ndërkaq nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë thënë për Gazetën Sinjali se ndaj policit askush nuk duhej të merrte masa disiplinore pasi ai nuk e ka dëmtuar askënd.

“Shqetësimet e policit janë krejtësisht me vend dhe ai ka të drejtë 100 për qind sepse ai e ka kërkuar një të drejtë që i takon. E në këtë kontekst mendoj se ndaj tij nuk duhej të merrej asnjë masë disiplinore, por duhet të merret si porosi që të veprojnë më shpejt. Fjala e lirë është e garantuar dhe ai nuk e ka dëmtuar askënd“, ka thënë kreu i KMDLNj-së, Behgjet Shala.

Për suspendimin e policit Hoxha ka pasur reagime edhe nga opozita. Ndër ta, ka reaguar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili tha se përjashtimi i policit Hoxha nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar.

“Polici nuk është robot. Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar. Arkitektura e nënshtrimit është e gatshme. Shembja e saj domosdoshmëri. Por sikur në secilin profesion, njeriu nuk është i reduktueshëm në punën që bënë. Polici është edhe qytetar. Amir Hoxha u largua nga puna sepse theu rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin. Me përjashtimin e tij u sulmua e drejta demokratike e fjalës dhe e drejta për punë. Por shembujve për disiplinim që po na jep pushteti duhet t’i përgjigjemi me mësime që jep organizimi sindikal”, ka shkruar ai.

Ndërsa, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka deklaruar se tendenca për ta heshtur kritikën është cenim i demokracisë.

“Tendenca për ta heshtur kritikën, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, përveç se është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, është cenim i madh i demokracisë dhe krijon precedent të tmerrshëm kundër lirisë së shprehjes. Qeveria, institucionet shtetërore dhe policia duhet të përdorin të gjitha mjetet që me çdo kusht ta ruajnë këtë liri kushtetuese, e jo t`i përdorin ato si mjet për t`ia mbyllur gojën, kujtdo që e kritikon pushtetin. Në vend se kjo qeveri të kujdeset për sigurimin e kushteve të dinjitetshme për Policinë e Kosovës, ajo po kujdeset që t’i mbajë të nënshtruar nëpërmjet disiplinimit dhe kontrollit të tyre”, ka shkruar Halimi .

Edhe Daut Haradinaj nga AAK ka reaguar duke ftuar organet kompetente për kthim të policit Hoxha në vendin e tij të punës.

“Veprim i nxituar suspendimi i Amir Hoxhës, i cili edhe me ligj ka për detyrë hetimin e shpërdorimit të të mirave publike. Ftoj organet kompetente për rishikim të vendimit dhe rikthimin e Amirit në vendin e punës! Përkundrazi, ai duhet të njihet si Hero pasi që para pak ditësh arriti ta shpëtojë jetën e një qytetari”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi që i kushtoi policit Amir Hoxha

Amir Hoxha shkroi në Facebook se paratë për shujta të policëve që punojnë jashtë orarit nuk po merren për shkak të mungesës së buxhetit por “s’paskan faj se rezervarët e deputetëve qenkan më primare”.

Paratë e shujtave për Policinë, si dhe shtesat për punë jashtë orarit nuk jemi duke i marië përkundër se na takojnë me Ligj, me arsyetim të mungesës së buxhetit, por besa s’paskan pas faj se rezervarët e karburantit të deputetëve që në emër të modestisë dhe gënjeshtrave publike gjatë fushatave politike fituan ulëse dhe privilegje, qenkan më primare. Një polic mund të lihet pa bukë në kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kursesi jo . Turp ju qoftë, prapë dora jonë do ju ndëshkoj o të shkretë“, ka shkruar ai.

Ndryshe, në dy ditët e fundit, është raportuar për shpenzimet e larta për derivate të deputetëve të Kuvendit Kosovës.

/GazetaSinjali/