Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka ndërmarrë një aksion, duke zgjeruar operacionin për hetimin e grupit të Milan Radojiçiqit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar dy zyrtarë policorë, njëri sipas një urdhër-kontrolli të lëshuar nga Gjykata.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, në një konferencë të përbashkët me zëdhënësin e Policisë, Baki Kelanin, ka treguar detajet e këtij aksioni, duke theksuar se Radojiçiq ka një rrjet të gjerë kriminal në veri të Mitrovicës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Policia e Kosovës aksion për arrestimin e dy zyrtarëve policorë të pjesës veriore të Mitrovicës, njëri nga ta, sipas urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, ndërkaq personi tjetër është ende në kërkim… Këtë person e kam intervistuar sot paradit dhe ia kam parashtru Gjykatës Themelore kërkesën për masën e paraburgimit.. Një person të cilit i është gjetur një armë, është lëshuar”, ka thënë Hoxha.
Kryeprokurori Hoxha ka thënë se në veri të Mitrovicës ekzistojnë grupe kriminale të udhëhequra nga Milan Radojiçiq.
“Në veri të Mitrovicës ekzistojnë grupe kriminale, të organizuara mirë, të udhëhequra nga Milan Radojiçiqi, për të cilin jeni në dijeni që është lëshuar edhe urdhërarrest ndërkombëtar. Në shkresat e lëndës që e disponojmë, grupi kriminal i Milan Radojiçiqit është i organizuar mirë dhe ka ndikim për fat të keq edhe në Policinë e Kosovës dhe në strukturat komunale në atë pjesë. Ne kemi prova se edhe këta për të cilët është ndërmarr aksioni i sotëm kanë punu dhe vepru nën urdhërat e Milan Radojiçiqit”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka treguar se çfarë ka konfiskuar Policia gjatë këtij operacioni.
“Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni që ka qenë në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit. Kemi arritur që gjatë kontrollit t’i konfiskojë 6 armë, 2 prej tyre zyrtare, por edhe pajisje të tjera elektronike që do të paraqiten ditëve në vijim”, ka thënë Kelani.
Operacioni i Policisë ka zgjatur disa orë, ndërsa në të kanë marrë pjesë rreth 25 vetura policore të blinduara. /Gazeta Sinjali/