image Policia e Kosovës për rusët e shpallur 'non grata': E kanë lëshuar Kosovën më 23 tetor

Siguri

Policia e Kosovës për rusët e shpallur ‘non grata’: E kanë lëshuar Kosovën më 23 tetor

news image

Pas Zyrës së Presidencës, edhe Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me videon e publikuar mbrëmë nga Top Channel, ku shihej një person, i cili sipas televizionit është Denis Vengerskii, njëri nga dy shtetasit rusë të shpallur persona “non grata” në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Policia e Kosovës e ka demantuar këtë lajm, duke thënë të dy shtetasit rusë të shpallur ‘non grata’ nga autoritetet kosovare, Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii, e kanë lëshuar territorin e Kosovës më 23 tetor dhe më nuk janë kthyer.

“Dy personat, Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii, shtetas rusë, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021 dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit më datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdar kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.”

Ashtu si Presidenca, edhe organet e rendit dhe sigurisë kanë njoftuar se personi që shihet në këtë video, është një zyrtar tjetër i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

“Vlen të potencohet se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë”, thuhet në reagimin e Policisë./Gazeta Sinjali/