Inspektorati Policor i Kosovës e ka arrestuar një polic në Hajvali të Prishtinës për dhunë në familje.
Siç njofton IPK, zyrtari policor e kishte rrahur bashkëshorten e tij, ndërsa ajo kishte marrë ndihmë mjekësore, shkruan Gazeta Sinjali.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar të dyshuarin (zyrtarin policor) si dhe viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij të cilës i është ofruar edhe ndihma mjekësore”.
“Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, njofton Inspektorati Policor.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë thonë se do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. /Gazeta Sinjali/