image Polici i suspenduar i Njësisë Speciale që ishte arrestuar për haraç, e kundërshton aksionin e Policisë në pandemi

Siguri

Polici i suspenduar i Njësisë Speciale që ishte arrestuar për haraç, e kundërshton aksionin e Policisë në pandemi

news image

Polici i suspenduar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Ajet Keqolli ka dalë publikisht kundër aksioneve policore ndaj qytetarëve dhe bizneseve që nuk po i respektojnë masat kundër koronavirusit. Ai nuk ka hezituar ta kundërshtojë publikisht edhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.

Në një artikull të publikuar nga Gazeta Sinjali ku Qalaj flet për aksionin e djeshëm të Policisë ndaj qytetarëve e bizneseve që s’po i respektojnë masat kundër përhapjes së COVID-19, zyrtari policor ka komentuar me kundërshti, duke i thënë Qalajt se këto aksione të Policisë nuk janë për t’u krenuar.

“Duhet me u krenu kur i ndihmon popullit shteti. Në këto raste si pandemia ka nevojë me e ndi dorën e mbështetjes e jo me ia rëndu hala. S’po shoh diçka këtu për me u krenu zotëri me këtë punë????”, ka shkruar ai.

Ajet Keqolli është zyrtari policor që u prangos tetorin e vitit të kaluar bashkë me një qytetar në Prishtinë, nën dyshimin për veprën penale “Detyrim”. Ai ishte kapur në flagrancë dhe ishte arrestuar mëngjesin e 12 tetorit në kuadër të një operacioni të koduar me emrin “Haraçi” i cili kishte nisur pas pranimit të një informate nga Inspektorati Policor i Kosovës se të dyshuarit kishin kërkuar haraç.

Për këtë rast, Keqolli është ende i suspenduar nga puna në Polici. Kështu ka konfirmuar Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali.

“I apostrofuari nga ana juaj është i suspenduar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Keqolli dhe qytetari N.SH. dyshohet se kishin kërkuar 30 deri në 35 mijë euro nga viktima R. A. për t’ia nxjerrë banesën që e kishte blerë nga një qytetar nga Suhareka, por që nuk kishte arritur ta posedonte e shfrytëzonte asnjëherë.

Gazeta Sinjali kishte siguruar nga vendi i ngjarjes pamjet ekskluzive të momentit të arrestimit të pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative të Policisë, Ajet Keqollit dhe qytetarit N.SH.

Zyrtari policor dhe qytetari ishin kapur në flagrancë në një restorant në lagjen “Veternik” të Prishtinës.

Të nesërmen, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për policin Ajet Keqolli dhe qytetarin N. SH., por që më s’ishte bërë e ditur se çfarë kishte ndodhur me këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali