Pjesëtarët e Policisë së Kosovës detyrat për mbrojtjen e rendit i kryejnë me mungesë të kushteve elementare për punë. Disa herë ka pasur raportime e ankesa se ata punojnë me uniforma të vjetëruara, të cilat detyrohen t’i dërgojnë për riparim në punëtori që merren me pastrimin dhe ngjyrosjen e tekstilit, raporton Gazeta Sinjali.
Në një gjendje të tillë ndodhej edhe një polic që po bënte roje sot në veri të vendit.
Gazetari kosovar, Arsim Lani, ka ndarë me ndjekësit e tij një rrëfim për këtë zyrtar policor, për të cilin thotë se çizmet i kishte të shqyera dhe uniforma ishte tejet e vjetëruar.
“Këtë foto ma dërgoi një polic i Kosovës. Ai ka bërë roje sot në veri me këto çizme të shkyme i veshur me një uniformë që për shkak të vjetërsisë, e kish ngjyros në një dyqan bojërash. Kur bjen shi me tha, trupi i nxihet nga ngjyra që e lëshon uniforma”, shkroi Lani në Facebook.